Justifikimet e lejueshme për prishjen e agjërimit – Shejkh Muhammed ibn Salih el-‘Uthejmin

Justifikimet e lejueshme për prishjen e agjërimit

-Shejkh Muhammed ibn Salih el-‘Uthejmin-

 [print-me target=”#content”]

bismillah 

Pyetja: Cilat janë justifikimet e lejueshme për prishjen e agjërimit?

Përgjigja: Justifikimet e lejueshme për prishjen e agjërimit janë: sëmundja dhe udhëtimi, siç përmendet në Kur’an.

Prej justifikimeve të tjera është se gruaja është shtatëzënë dhe ajo frikësohet për veten e saj dhe foshnjën e saj.

Një tjetër justifikim është se gruaja është gjidhënëse dhe frikësohet -për veten e saj dhe fëmijën e saj të cilin i jep gji- nëse agjëron.

Një tjetër justifikim është se një personi i duhet ta prishi agjërimin në mënyrë që të shpëtojë jetën e dikujt. Për shembull, ai gjen dikë duke u mbytur në det, ose dikë që është i rrethuar nga zjarri nga të gjitha anët, dhe i duhet që ta prishi agjërimin e tij në mënyrë që ta shpëtojë atë.

Një tjetër rast i tillë do të ishte nëse një personi i nevojitej që ta prishi agjërimin në mënyrë që ta forcojë veten e tij për Xhihad në Rrugën e Allahut, kjo gjithashtu do të ishte një arsye e lejueshme për të që ta prishi agjërimin, sepse Profeti –sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem– i tha Sahabëve të tij –Allahu qoftë i kënaqur me ta-:

“Ju do ta takoni armikun nesër në mëngjes, prandaj prishja e agjërimit do të jetë më e fortë për ju, kështu që prisheni agjërimin tuaj.”[1]

Pra, nëse gjindet një justifikim i lejueshëm për prishjen e agjërimin, dhe njeriu e prish agjërimin si shkak i këtij (justifikimi), (atëherë) nuk është e nevojshme për të që ta agjërojë pjesën e mbetur të ditës. Si rrjedhim, nëse ndodh që personi e ka prishur agjërimin në mënyrë që t’i shpëtojë jetën një njeriu, ai duhet që të vazhdojë të ha dhe pi, edhe pasi ta ketë shpëtuar atë. Kjo ngaqë ai e prishi agjërimin e tij për shkak të një arsyeje që ia lejon atij që ta prishi agjërimin, kështu që nuk është e nevojshme për të që të agjërojë në këtë rast, sepse ndalimi për prishjen e agjërimit në atë ditë është hequr si pasojë i shkakut të lejueshëm për prishjen e agjërimit.

Për këtë arsye, ne mbështesim mendimin më të besueshëm në këtë çështjë, që është se nëse një person i sëmurë shërohet gjatë ditës dhe (ndërkohë) nuk ishte agjërueshëm, nuk është e domosdoshme për të që të agjërojë (pjesën e mbetur të ditës), dhe nëse udhëtari mbërrin në vendbanimin e tij dhe (ndërkohë) nuk ishte agjërueshëm, nuk është e domosdoshme për të që të agjërojë (pjesën e mbetur të ditës), dhe nëse gruaja me menstruacione pastrohet gjatë ditës, nuk është e domosdoshme për të që të agjërojë (pjesën e mbetur të ditës). Kjo ngaqë të gjithë këto njerëz e prishën agjërimin e tyre për arsye të pranueshme (të ligjëruara), dhe kështu, në këtë ditë, nuk ishte detyrim mbi ta që të agjërojnë, për shkak të lejueshmërisë së ligjëruar për prishjen e tij (agjërimit) në këtë kohë, kështu që nuk është e nevojshme për ta që të agjërojnë (pjesën e mbetur të ditës).

Kjo është e kundërta e rastit ku është konfirmuar gjatë ditës se Muaji i Ramazanit ka filluar, në këtë rast, është e domosdoshme që të agjërohet (pjesa e mbetur e ditës). Dallimi midis dy rasteve është i qartë, sepse nëse argumenti (se Ramazani ka fillluar) shfaqet gjatë ditës, (atëherë) është konfirmuar se agjërimi në këtë ditë është oblgim për ta, por ata janë të justifikuar për kohën përpara se argumenti t’i bëhej i qartë atyre, për shkak të paditurisë së tyre për të. Kjo ngaqë, nëse ata do ta kishin ditur se kjo ditë është ditë Ramazani, (atëherë) është obligim për ta që të agjërojnë. Ama për ato njerëz që i përshkruajtëm (më lart), është e lejueshme për ta që ta prishin agjërimin, megjithëse janë të vetëdijshëm (se është Ramazan), dhe dallimi midis këtyre është i qartë.

 

Fusnotë:

[1.] Transmetuar nga Muslimi në Librin e Agjërimit, në kapitullin: “Shpërblimi për atë që e prish agjërimin tij gjatë udhëtimit nëse ndërmerr një detyrë. (1120)”

 

Burimi: http://www.fatwaislam.com/fis/index.cfm?scn=fd&ID=690
Përktheu: Emin Shkodrani
.